Revista më e veçantë dhe më e lexuar në Kosovë, “For You” edhe përgjatë muajit qershor, ofron tema të larmishme dhe interesante për lexuesit e saj.
“Çka duhet të merrni në konsideratë me rastin e zgjedhjes së profesionit gjegjësisht, fushës tuaj të studimeve”, kjo është tema e cila është trajtuar në shkrimin editorial, në numrin e qershorit të Revistës 4U, stafi i së cilës ashtu sikurse muajve të tjerë, sjell këshilla, suksese, histori, trendët e fundit të shumë fushave si dhe mendimet e shumë lexuesve përmes rubrikave të veçuara.
Menaxherja e Revistës “For You”, Leonora Shabanaj Nikshiq, për Radio KFOR ka treguar se në rubrikën “Shkolla e Muajit”, lexuesit do të kenë mundësi që të lexojnë për shkollën “Nazmi Gafurri”, në Prishtinë. Ndërsa, në rubrikën “Pyetësori”, lexuesit do të mësojnë se çka po presin më me gëzim për këtë verë, disa prej bashkëmoshatarëve të tyre. Më pas, znj Shabanaj Nikshiq, ftoi lexuesit që t’iu kushtojnë vëmendje të veçantë artikujve për dhunën në familje, të cilat kjo redaksi i ka përgatitur me qëllim të ngritjes së vetëdijes për këtë problem, i cili gjatë muajve të vështirë të pandemisë së COVID-19, vetëm sa është theksuar.
Në këtë revistë, nuk do të mungojnë as rubrikat e zakonshme argëtuese si: “Moda”, ku do të mund të lexoni për trendët më të reja të rrobave të banjës. ‘Kampioni Evropian i Futbollit Euro 2020’ është tema e rubrikës së sportit, kurse në rubrikën e “Hi-Tech”, do të prezantohen 40 zbulime të mrekullueshme. Në rubrikën “Këndi i Juaj” vjen një tjetër shkrim pjesëmarrës në konkursin letrar të kësaj reviste – “Le të flasim për miqësinë!”.
Një tjetër rubrikë interesante do të jetë “Moviemania”, ku do të prezantohet shërbimi ‘streaming’ Disney +.
Në fund, znj. Shabanaj-Nikshiq theksoi që si zakonisht edhe në këtë numër të qershorit, të gjithë lexuesit do të gjejnë materiale tejet interesante për t’i lexuar, teksa i shijojnë pushimet verore por, duke mos harruar të mbajnë distancë për të mbrojtur veten dhe të tjerët!