Data 25 prill e çdo viti, i është ndarë kremtimit të “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK)”. Kjo ditë ka për qëllim për të theksuar rëndësinë e barazisë gjinore në fushën e teknologjisë dhe për të nxitur vajzat dhe gratë të angazhohen në këtë fushë. Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëritë moderne, është thelbësore që kontributi ynë në këtë fushë, të jetë pa dallim gjinor. “Vajzat në TIK”, është nismë globale e krijuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), që është një agjenci e Kombeve të Bashkuara për telekomunikacionin. Në “Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK”, organizata të shumta, institucione dhe kompani të ndryshme, organizojnë workshop-e, seminare, prezantime dhe aktivitete të tjera, që inkurajojnë vajzat dhe gratë të mësojnë më shumë rreth fushës së teknologjisë së informacionit dhe t’i inkurajojnë ato që ta orientojnë karrierën në këtë fushë. Përfshirja e vajzave dhe grave në fushën e TIK-ut është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, duke krijuar mundësi të reja për inovacion dhe zhvillim në këtë sektor.