Edicioni i dytë me radhë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”, i cili do të mbahet nga data 20 deri më 23 shtator, në Gjilan, ka hapur dyert për talentët e rinj nga Kosova dhe jo vetëm. Ky konkurs do të vazhdoj të jetë i hapur deri më 20 gusht, ku të interesuarit mund të garojnë në katër kategori të ndara në: XS, S, M dhe L, të cilat përfshijnë talent të moshave nga 6 vjeç e deri në 18+.
Për të mësuar më shumë rreth Festivalit në fjalë, Radio KFOR-i kontaktoi drejtoreshën e Festivalit “Rising Star”, Arta Haziri – Nuhiu, e cila tregoi se në edicionin e parë përveç Kosovës pjesëmarrës ishin edhe nga 5-së vende të tjera si, Turqia, Maqedonia Veriore, Rumania, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, kurse këtë vit këtij festivali iu shtuan edhe disa vende të tjera, si: Ukraina, Lituania, Rumania, Sllovenia dhe Bjellurusia. E sa i përket qëllimit të realizimit të këtij festivali dhe kritereve, zonja Haziri Nuhiu, shtoi:
“Qëllimi i këtij festivali është krijimi i urave lidhëse mes talentëve të rinj vendor dhe pjesëmarrësve të vendeve të huaja që do të jenë në festivalin “Rising Stars”, e për të qenë pjesëmarrës në “Rising Stars” kemi kritere, sepse është festival Live dhe nuk mund të merr pjesë një garues që nuk gëzon në vetvete një talent të theksuar të vokalit të plotë dhe të shëndosh. Kur merr pjesë në një festival Live, duhet me qenë i përgatitur mirë në anën vokale, të qëndroj mirë vokalisht dhe të ketë paraqitje të mirë skenike. Fluksi i të interesuarve është shumë i madh, por do të seleksionohen më të mirët, e kam fjalën në zërat që do të jenë më të fuqishëm për të qenë pjesë e festivalit.”
Fituesit e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”, do të kenë mundësi të shumta promovimi brenda Kosovës dhe jashtë saj, duke iu hapur dyert e tyre të suksesit.