Nesër, më 9 maj do të hapet edicioni më i ri apo i 14-ti me radhë i festivalit “Chopin Piano Fest”. Mikpritëse e të gjithëve për një muaj të tërë, do të jetë skena e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet, ku do të luhen veprat më të mëdha botërore të muzikës klasike përmes pianos.
Do të jenë gjithsej 16 performanca që do ta karakterizojnë muajin maj dhe qershor. Festivali në fjalë të nisë me pianistin virtuoz ukranias, Artem Yasynskyy me koncertin recital me datën 9 maj. Baritoni Saran Suebsantiwongse vjen nga Tajlanda, për të gjetur gjuhën e përbashkët, atë që zbërthehet nëpërmjet muzikës klasike. Takimi me audiencën në Prishtinë do të jetë në datën 15 maj. Me tinguj pianoje do ta shoqërojë interpretimin e tij profesoresha e muzikës Alberta Troni, që është edhe pjesë e bordit të festivalit “Chopin Piano Fest”. Sikurse u hap, edhe në mbyllje vjen një tjetër pianist virtuoz, italiani Giovanni Bellucci, më 9 qershor, për të lënë shijen e tingujve magjepsës deri në takimin e radhës me audiencën.
Me edicionin e 14-të të Festivalit, programi i kuruar mëton të sjellë më të mirën prej mozaikut të muzikës klasike. Në 16 koncerte, publiku është pajisur me adresën ku do të mblidhet për të dëgjuar repertorin pianistik, kamertal dhe orkestral.