Data e sotme 8 maji, njihet si ‘Dita Botërore e Kryqit të Kuq’ dhe ‘Gjysmëhënës së Kuqe’, një ditë globale për të festuar veçantinë dhe unitetin e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.
Kjo ditë nderon përvjetorin e lindjes së fituesit të parë të çmimit Nobel për Paqe dhe njëherit themeluesit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të madhit Henry Dunant. Çdo vit, një temë caktohet për të shënuar këtë ditë, pasi që njerëzit në mbarë botën inkurajohen t’i bashkohen kauzës dhe të kontribuojnë për paqe në mënyrat e tyre individuale.
Tema e caktuar sivjet (2024), për të shënuar këtë ditë, është “Unë jap me gëzim dhe gëzimi që jap është një shpërblim”. Kjo temë promovon idenë e dhënies, duke vlerësuar se gëzimi i përjetuar në vetë aktin e dhënies, është një rezultat shpërblyes.