Organizata “Help Kosovo” po vazhdon me mbajtjen e takimeve informuese me qytetarë të të gjitha komuniteve në Komunën e Prishtinës, Skënderajt, Drenasit, Gjakovës dhe Podujevës për projektin “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor 2019 – 2020”.
Disa nga këto takime parashihet të mbahen këtë javë. Nesër, më 18 shkurt, duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet takim informues në Komunën e Skenderajt, për të vazhduar me 19 shkurt, po ashtu në orën 11:00, mirëpo edhe në Komunën e Podujevës. Këto takime informuese në Gjakovë mbahen më 20 shkurt, në Drenas më 21 shkurt, ndërsa ato do të përmbyllen në Podujevë, më 25 shkurt.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtoreshën e Organizatës “Help”, me mision në Kosovë, Shqipe Breznica, e cila ka treguar për qëllimin e këtij projekti dhe përzgjedhjen e këtyre komunave: “Ky është projekt që zbatohet nga organizata gjermane “Help”, e cila ka zyret e saj edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Ky projekt financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane dhe ka për qëllim përkrahjen e mikrobizneseve në Kosovë, me qëllim që të parandalohet migrimi dhe t’ju japim mundësi grupeve që kanë më shumë vështirësi në punësim, të vetëpunësohen përmes bizneseve të vogla. Këto komuna janë përzgjedhur meqë janë me potencial më të madh të migrimit të të rinjve jashtë Kosovës. Ne si “Help Kosovo” kemi punuar me 27 komuna prej vitit 2015. Projekti si i tillë është i dizajnuar për me iu ndihmu grupeve të cenueshme, të cilat e kanë më të vështirë punësimin. Kur themi grupe me vështirësi në punësim, nuk iu referohemi vetëm grupeve etnike, por kemi edhe grupe të grave, të të rinjve të cilëve nuk u dëgjohet zëri në fushën e zhvillimit ekonomik.”
Znj. Breznica gjithashtu ka njoftuar se afati i fundit për aplikim në këtë projekt është data 20 mars 2020, ndërsa përzgjedhja finale e fituesve do të bëhet në muajin maj. Më pas në fillim të stinës së vjeshtës “Help Kosovo”, do të bëjë shpërndarjen e pajisjeve të blera dhe përfituesit fillojnë me bizneset e tyre.