“Kosovo Girl Travels” është blogu, në të cilin 32 vjeçarja nga Kosova, Lavdi Zymberi, ka shkruajtur për përvojat dhe sfidat gjatë udhëtimeve të saj në 37 shtete të ndryshme të botës deri më tani. Së fundmi, ajo ka krijuar eventin “Travel to Kosovo” në faqen zyrtare të Facebook-ut “Kosovo Girl Travels”, me qëllim që të ofrojë informata të ndryshme për të gjithë turistët që duan ta vizitojnë Kosovën. Për Radio KFOR-in, Znj. Zymberi ka treguar se si erdhi deri tek ideja e krijimit të këtij blogu dhe çfarë informatash mund të marrin aty të gjithë ata që ia mësyjnë Kosovës për vizitë apo vendeve të tjera të botës: “Në blogun tim shkruaj edhe për Kosovën, mirëpo edhe për vendet turistike që mund të vizitohen jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga qytetarët e Kosovës. Ideja për blog më erdhi pasi u kontaktova përmes Instagramit nga një blogere amerikane me qëndrim në Holandë, e cila po planifikonte të vizitonte Kosovën dhe më pyeti për disa informata që nuk po i gjente online. Pas disa muajsh kjo blogere amerikane, Karen, më bindi që të filloj blogun meqenëse të shkruaj dhe udhëtoj janë pasionet e mia si dhe nuk ka informata të mjaftueshme për njerëzit që duan ta vizitojnë apo të zhvendosen në Kosovë. Mirëpo, unë nuk i kam të gjitha përgjigjet, kështu që në ngjarje mund të përgjigjen edhe ndjekësit e faqes time apo të ngjarjes.”
Të udhëtosh është mënyra më e mirë për heqjen e paragjykimeve për botën, thotë blogerja, Lavdi Zymberi, e cila shtoi: “Blogu dhe udhëtimi janë pasione të miat dhe në qoftë se ndihmojnë apo frymëzojnë dikë të udhëtojë në Kosovë apo nga Kosova diku në botë, nuk do të ndaloj me këtë punë. Shpesh pranoj emaile ose mesazhe përmes rrjeteve sociale dhe ndjehem mirë kur të huajt vizitojnë Kosovën apo informatat që kam postuar për viza e ndihmojnë një bashkëvendas/e.”