Nën temën “Ec me ne!” edhe në Kosovë sot (16 shtator), ka nisur “Java Evropiane e Mobilitetit”, e cila është iniciativë evropiane, që inkurajon qytetet që të prezantojnë dhe të promovojnë masa të qëndrueshme të transportit dhe t’i ftojnë njerëzit të provojnë alternativa tjera të lëvizjes kundrejt përdorimit të automjeteve.
Për këtë vit, Komisioni Evropian ka vendosur dy synime ambicioze për lëvizshmërinë urbane: Largimi i automjeteve me karburant konvencional, në qytete, deri në vitin 2050 dhe lëvizja drejt emetimit zero nga automjetet e motorizuara që kryejnë transportin e mallrave dhe shërbimeve në qendrat kryesore urbane, deri në vitin 2030.
Thirrja e këtij vitit është “Ec me ne!” , e cila sjell në fokus temën e këtij viti – ‘Ecja dhe çiklizmi i sigurt’ dhe shumë qartë thekson një mënyrë transporti që është shumë shpesh e nënvlerësuar: ecja.
“Java Evropiane e Mobilitetit” përfundon më 22 shtator dhe kjo javë kulmon me ‘Ditën pa Automjete’, ku qytetet pjesëmarrëse krijojnë një ose disa zona vetëm për këmbësorë, çiklistë dhe transport publik, për një ditë të tërë.