“Nuk është synimi ynë që të bëhemi si të tjerët, ne duhet të jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri, të mësojmë të shohim njerëz të ndryshëm nga vetja jonë dhe t’i respektojmë të tjetër për atë që janë”, është ky një mendim për diversitetin nga poeti Herman Hesse.
Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM) synon që të edukojë gjeneratat e reja në frymë multietnike, duke e parë këtë si mënyrë dhe model për të cilin ka nevojë shoqëria jonë për një të ardhme të sigurt dhe të përbashkët.
Kosova është e pasur me zakone, besime e kombësi dhe si e tillë meriton që të ndërtojë një të ardhme më të mirë mbi diversitetin. Kështu tha, Aleksandra Lazareviç, studentja e Shitjeve dhe Marketingut Ndërkombëtar, që vjen nga Zveçani:
“Unë do të dëshiroja që të përçoj një mesazh tek të gjithë të rinjtë që të jenë më mendjehapur dhe kurrë të mos e gjykojnë dikë mbi bazën e përkatësisë etnike. Ne jemi të gjithë të barabartë dhe secilit duhet t’i jepet rasti që të jetë i pranuar dhe i respektuar në shoqëri”.
Gresa Ferri, studente e diplomuar në IBCM, e cila punon në Departamentin e Biznesit të kolegjit dhe aktualisht është e angazhuar për zbatimin e projektit e quajtur “Mitrovica Environmental and Research Platform”, të mbështetur nga UDNP, dhe që ka për qëllim, që të krijojë një shoqëri e cila do të jetë e informuar dhe e gatshme për të punuar, për të përmirësuar situatën aktuale dhe për të parandaluar problemet në të ardhmen, tha se “Këmbëngulësia tejkalon të gjitha pengesat, dhe të rinjtë janë faktori më i rëndësishëm në ndërtimin e një të ardhme më të mire” dhe më tutje shtoi:
“Ne që nga fillimi jo vetëm në këtë projekt, por në secilin projekt, kemi thyer barrierat duke punuar së bashku në projekte që janë në të mirë të të gjithë komuniteteve. Për rezultat sa më të mirë, ne duhet të punojmë së bashku, pavarësisht etinicitetit dhe rezultati vjen me kohë”.
Të rinjtë e IBCM-it janë duke thyer të gjitha paragjykimet mbi dallimet, ata janë një shembull pozitiv i bashkëpunimit multietnik që është duke vazhduar tash e 10 vite me radhë.
Përvojën e tyre, ata e kanë edhe me përfaqësuesit e KFOR-it, në takimet e mbajtura në Mitrovicë. Sipas Flamur Abazaj, student i diplomuar në IBCM, i cili punon në departamentin e ‘Teknologjisë së Informacionit’, ata, punojnë në një mjedis multietnik dhe kjo u ka dhënë mundësi të përfitojnë njohuri të reja dhe të ngritën profesionalisht, ndërsa bashkëpunimi me KFOR-in, u hapë atyre një mundësi të re:
“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur ta kemi këtë takim dhe prezantim para KFOR-it, pasi misionet tona janë pak a shumë të ngjashme. Ne dëshirojmë që të bashkëpunojmë me KFOR-in, që të mund t’i gjejmë pikat e përbashkëta, duke kombinuar kapacitetet tona”.
Njëra nga gjërat më të mira që i ofron IBCM-i është paketa e saj e arsimit dhe se bashku me paketën e arsimit ata ofrojnë edhe paketën kulturore, në të cilën çdo student ka mundësi të bashkëpunojë me komunitete të ndryshme.
Pas shumë projekteve të implementuara me sukses edhe përfaqësuesi i ‘Ekipit Ndërlidhës dhe Monitorues të Mitrovicës’, Mario Schnider, është shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura.
Si një përfaqësues i KFOR-it, ai tha se mbështetë bashkëpunimet multietnike të cilat kanë për qëllim që të bëhen shembull pozitiv për të gjitha komunitete, që ata të bashkëpunojnë edhe më tej, duke e rritur çdo herë nivelit e bashkëpunimit.
Mos e privoni veten nga mundësia për të pranuar dhe për të qenë të pranuar. Le ta bëjmë një hap më tej!