Në një intervistë dhënë Radio KFOR-it, doktoresha italiane, kapitene Marzia Candela, njëherit pjesë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tregon për masat parandaluese ndaj CoViD-19. Në vijim mund të ndiqni intervistën e plotë:
01. A mund të prezantoheni ju lutem?
Përshëndetje të gjithëve! Ju faleminderit që më keni ftuar sot. Jam Kapitenja Marzia Candela, doktoreshë e Ushtrisë Italiane dhe jam 28 vjeçe. Aktualisht punoj në spitalin e Kampit “Film City”. Jam shumë e lumtur që jam në Kosovë, që punoj për KFOR-in dhe natyrisht që kam mundësinë të prononcohem për Radio KFOR-in!
02. Siç e dimë, jemi në situatë pandemie dhe duhet të jemi të kujdesshëm gjatë gjithë kohës. Në cilat situata dhe kur duhet ta mbajmë maskën?
Kohëve të fundit, jemi mësuar çdo ditë e më shumë që t’i mbajmë maskat dhe siç e dini, është bërë pothuajse normale të jemi me maska pranë njerëzve të tjerë. Është e obligueshme të mbajmë maskat sa herë që nuk mund të mbajmë distancën sociale, në veçanti kur jemi në ambiente të mbyllura me njerëz të tjerë dhe me sistem të dobët ajrosjeje, në vende të mbushura me njerëz, në makinë si dhe në sallë takimesh… është shumë e rëndësishme ta mbrojmë veten dhe njerëzit që na rrethojnë.
03. Pse është e rëndësishme që të jemi çdoherë të kujdesshëm edhe nëse ndihemi mirë dhe nuk shfaqim shenja të infeksioni me Covid-19?
Duhet ta kemi parasysh se një pjesë e madhe e njerëzve të infektuar nuk shfaqin fare simptoma, por gjithsesi mund të jenë ngjitës! Merrni këtë parasysh. Gjithashtu edhe ka raste që para se të shfaqet virusi, jemi duke kaluar nëpër fazën e inkubacionit. Prandaj, është e rëndësishme që të jemi çdoherë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm ndaj njerëzve të tjerë, veçanërisht ndaj të moshuarve dhe personave të ndjeshëm. “Përparojmë Si Një”, është kjo motoja e KFOR-it … çelësi i të qenit të suksesshëm është të jemi të bashkuar dhe të jemi gjithmonë të respektueshëm si pjesë e ekipit të madh.
04. A do të thotë që njerëzit duhet të mbajnë maskën edhe nëse vaksinohemi kundër Covid-19 dhe pse?
Po, duhet! Është e rëndësishme të vazhdojmë të respektojmë masat parandaluese për pengimin e përhapjes së virusit sepse kemi edhe shumë punë për të bërë, deri sa të vaksinohemi të gjithë dhe duhet të jemi mjaft të vetëdijshëm, se duke u mbrojtur nga sëmundja, vaksinimi parandalon edhe përhapjen e mëtutjeshme të virusit.
05. A mund të ndani me dëgjuesit e Radio KFOR-it një mesazh sensibilizimi?
Po, patjetër! Do të ishte kënaqësi e imja. E di se ka qenë një vit shumë i vështirë dhe se të gjithë jemi lodhur nga kjo situatë, por duhet të mendojmë pozitivisht dhe të mbesim “negativ”!