Data e sotme, 11 marsi, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Veshkës”, e cila është një kampanjë globale që synon ndërgjegjësimin për rëndësinë e veshkave.
Për të kuptuar më shumë për këtë organ vital dhe se si duhet të kujdesemi për veshkat, Radio KFOR-i ka kontaktuar me urologun, Dr. Shefqet Mehmeti, i cili është magjistër i shkencave të mjekësisë, që ka specializuar në Zagreb dhe ka përfunduar studimet postdiplomike, në Zagreb e Lubjanë: “Veshka është një ndër organet vitale të organizmit. Ajo është e përbërë prej 2 milion nefroneve të cilat janë qelizat elementare të veshkës, ato në të vërtetë e bëjnë pastrimin e materieve toksike nga organizmi. Detektimi i hershëm i sëmundjeve të veshkës ka shumë rëndësi. Fakti i disa traditave të gabueshme tonat, siç është mospërdorimi i mjaftueshëm i ujit, përdorimi i madh i kripës si dhe përdormi i madh i sheqerit, janë ndër faktorët që ndikojnë në patologjinë e veshkës. Dita-ditës numri proceseve malinje gjegjësisht tumoreve, është në rritje në rend të parë kërcënomi i prostatës, i fshikëzës ndërsa kërcënomi i veshkës, është në rritje po ashtu në listën botërore. Një ndër dukuritë më të shpeshta janë uro-infeksionet të përsëritura, të cilat janë rezultat i bombardimit me antibiotik në mënyrë të pakontrolluar. Të gjitha këto janë elemente të cilat e rrisin numrin e pacientëve. Dita-ditës numri i pacientëve që ndodhen në programin e dializës është në rritje, numri i personave që presin transplantimin e veshkës, po ashtu është në rritje dhe kjo tregon që duhet një kujdes më i madh për veshkën.”
Dr. Mehmeti, që njëherit është edhe themelues i repartit të Urologjisë në Gjilan, qysh në vitin 1985, ka rekomanduar të gjithë prindërit që të bëjnë diagostikën e hershme të të porsalindurve përmes ultrazërit nga profesionistët e fushës, duke shtuar gjithashtu se është e nevojshme për të gjithë që kohë pas kohë të bëhet ekzaminimi i urinës, të pimë sa më shumë ujë dhe të reduktojmë sheqerin e kripën.
Urologu, Dr. Shefqet Mehmeti, është i njohur jo vetëm për punën profesionale, por edhe për gërshetimin e tij me humanizëm. Siç na ka njoftuar edhe vet ai, në ordinancën e tij “Rezonanca Dr. Shefqeti”, të gjithë personat me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit pa përkujdesje, i kanë vizitat falas.