“Western Balkans Youth Orchestra” është orkestra që ka bërë bashkë 30 muzicientë të rinj që vijnë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia. Këta të rinj, janë bërë bashkë falë pasionit të tyre për muzikën, pasion që duan ta ndajnë me publikun në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përpara se të shkojnë në një turne tjetër në Gjermani. Aktualisht, “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor”, është duke zhvilluar prova intensive dhe më 21 korrik, duke filluar nga ora 20:15, në “Bogdani Polis” në Prishtinë, do të nisin me koncertin e parë për këtë vit në kuadër të turneut veror, nën moton “New Waves”. Për të kuptuar më shumë, Radio KFOR-i ka vizituar dhe ka parë nga afër provat e orkestrës në fjalë. Teksa kemi zhvilluar intervistë me menaxherin e “Western Balkans Youth Orchestra”, z. Pierre Weber, tregoi detaje për koncertin e 21 korrikut: “Krejt këta të rinjë janë studentë në muzikës dhe kanë pasion për muzikë. Kur takohen së bashku lidhen nga pasioni për muzikë dhe nuk ka dallim, të gjithë janë muzikantë. Sa i përket koncertit, fillimsht të gjithë janë të ftuar që të vijnë në konceritn e datës 21 korrik, hyrja është falas dhe do të mbahet në ‘’Bogdani Polis’’ nga ora 20:00. E veçanta e koncertit është që në këtë turne është koncerti i parë me këtë program ku përmbanë vepra të Chopin, Grieg, Tansman, Shostakovich, si dhe premiere do ta kemi veprën nga kompozitori nga Shqipëria, Gerti Druga. Pas këtij koncerti vazhdojmë me turneun në Shkup, Novi Sad, Mostar dhe Kotor. Kotori mbyllë turneun në Ballkan dhe pastaj ky grup shkon në muajin gusht në Gjermani për 5 koncerte. Çka unë shoh në këtë orkestër, është fakti se të rinjtë instrumentistë, nuk shihen ndërmjet vete si maqedonas, serbë…. ata shihen si të rinj që e dojnë muzikën dhe ky fakt i lidhë të gjithë që të tejkalojnë të gjitha barrierat dhe për shkak të dashurisë së përbashkët për muzikën, janë në gjendje të ndërtojnë një produkt, rezultat me të vërtetë mbreslënës.”
Ndërkohë, drejtori artistik i “Western Balkans Youth Orchestra”, dirigjenti dhe pianisti nga Shqipëria, z. Desar Sulejmani, tregoi për rrugëtimin e orkestrës nga fillimi i saj. “Krijimin e kësaj orkestre e kemi nisur si ide nga angazhimet tona në kuadër të organizimeve tona në Akademinë Verore Evropiane të Muzikës që nga viti 2015 dhe e institucionalizuam në vitin 2019 duke krijuar “Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor”. Në 2020, kishim parashikuar të mbanim një koncert dhe një turne koncertesh në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, mirëpo për shkak të pandemisë këto plane nuk u realizuan. Pastaj vitin e shkuar, 2021, në muajin tetor u mblodhëm, realizuam 3 koncerte, në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, ndërkohë që na maj të vitit 2022 ishim të ftuar nga Delegacioni Evropian në Serbi për të kremtuar “Ditën e Evropës” në një koncert në Novi Sad. Tani mblidhemi në Prishtinë për të qenë së bashku deri më datën 29 korrik dhe pastaj nga data 11 deri më 22 gusht do të jemi në Gjermani për 5 koncerte. Motoja e koncertit në Novi Sad ka qenë “Më mirë të bashkuar” e cila është baza e frymëzimit dhe krjimit dhe punës tone, sepse në dëshirojmë që nëpërmjet muzikës, artit në përgjithësi dhe të qenurit bashkë në kuadër të këtyre dy fushave shumë të rëndësishme për jetën e njeriut dhe për profesionalizmin e anëtarëve tone, ne duam të thyejmë barrierat, të tejkalojmë vështirësitë që mund të ketë rajoni i Ballkani Perëndimor.”
Fjolla Asllanaj nga Prishtina e cila luan në violonçelo, tregoi për Radio KFOR-in se është hera e parë që është pjesë e orkestrës: “Është shumë e rëndësishme që të krijojmë miqësi të reja, me disa prej instrumentistëve ne veç njihemi pasi jemi takuar edhe në organizime të tjera. Është shumë kënaqësi që të ritakohemi, të bisedojmë dhe të shkëmbejmë përvoja. Ne si shoqëri duhet të shohim përtej etnicitetit e kulturave të ndryshme dhe me bashkëpunu. Prejardhja është gjëja me më së paku rëndësi, ne bëjmë muzikë bashkë dhe kemi marrëdhënie shumë të mira njëri me tjetrin.”
Pjesë e orkestrës është edhe Milica Simiq e cila ka përfunduar studimet master për violençelo. Për Radio KFOR-in ajo tha se është hera e parë që vjen në Kosovë dhe se është shumë e kënaqur me vizitën dhe provat para koncertit: “Ndihem mirë këtu. Më vjen mirë që në orkestër ka shumë të rinj që nuk janë vetëm nga Serbia apo Prishtina, ne jemi nga e gjithë bota dhe kalojmë shumë mirë. Edhe njerëzit që takuam në qytet ishin shumë të sjellshëm me ne. Para se gjithash, ne jemi të rinj dhe besoj se nëse dikush mund të kontribuojë për paqen në botë, jemi ne. Mendoj se projekte të tilla janë shumë të rëndësishme për këtë arsye. Muzika është dashuri dhe ka edhe energji dhe ne të gjithë e ndjejmë atë në të njëjtën mënyrë. Besoj që është ura që na lidhë.”
Ndërkohë, pianisti Fuad Shetiq nga Bonja dhe Hercegovina, për herë të parë është në Kosovë dhe ka shumë përshtypje të mira për Kosovën dhe bashkëpunimin me muzicientë nga vendet rajonale: “Ështe hera e parë që vi në Prishtinë, në Kosovë. Mund të them që është vend shumë i bukur. Është intersantë me muzikantët, ne githmonë e gjejmë dhe kuptojmë njëri-tjetrin, në orkestër kemi njerëz të mahnitshëm. Pa dallim, së bashku pas provave po dalim dhe po flasim jo veç për muzikë por edhe për jetën në përgjithësi. Jemi një familje e madhe që po krijohet. Të rinjtë janë e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe mendoj që jemi në rrugë të mirë që të ndërtojmë vende shumë më të mira dhe marrëdhënië shumë të mira me njëri-tjetrin.”
Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor është iniciativë e organizatës jo-qeveritare Artium Eudora. Paraqitja e kësaj orkestre në Prishtinë, ndër të tjera, mbështetet nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Prishtinë.