E cilësuar si një nga konkurrentet më të forta të spektaklit ‘X-Factor Albania’, në vitin 2011, këngëtarja Festina Mejzini, nisi rrugëtimin e saj profesional në muzikë me projekte të shumta muzikore dhe pjesëmarrje në festivale të ndryshme.
E ftuar sot, në kuadër të emisionit ‘’Macchiato Lounge”, Festina tregoi për fillimet e saj në muzikë, karrierën muzikore dhe projektet që pret t’i realizoj, derisa emisioni nisi me këngën e gjyshit të saj këngëtarit tashmë të ndjerë, Mazllum Mejzini, që ishte edhe inspirimi më i madh i saj në muzikë:
“Influencën më të madhe në muzikë e kam nga gjyshi im, jam rritur me muzikën e tij dhe në venat e mia ai ka shkruar dashurinë për muzikën. Në edicionin e parë kam qenë pjesëmarrëse në spektaklin ‘X Factor’ dhe për mua ishte një trampolinë për të dalur në skena të mëdha dhe nuk e kam pritur që të arrijë në top 4-shën më të mirë. Para 4 viteve kisha një ftesë nga një produksion në Suedi, të cilët më ftuan të realizoj një projekt muzikor dhe realizova këngën ‘Te Amo’ dhe kënga është punuar nga producentë të Britney Spears dhe grupit Abba“.
Festina, po ashtu tregoi për planet e afërta, ku planifikon gjatë muajit tetor të lansojë një album me këngët e kënduara nga gjyshi i saj. Festina po ashtu, krahas muzikës është edhe inxhiniere e mjedisit dhe aktualisht e përfshirë në një projekt të rëndësishëm mjedisor në Shqipëri.
Mesazhi i saj për dëgjuesit e Radio KFOR-it, është të jenë modest në çdo gjë që bëjnë pasi kjo është vlera më e lartë e një njeriu.