“Përkthimi është art”, kjo është njëra ndër qindra e mijëra thëniet që shfaqin atë që përçon arti, ndërsa përtej një përkthimi ndërmjet dy e më shumë bashkëbiseduesve, përkthimi është urë ndërmjet kombeve. Duke njohur rëndësinë e madhe dhe duke çmuar profesionin e përkthyesve, data e sotme, 30 shtator, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit”, e cila nderon punën e profesionistëve të gjuhës, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në bashkimin e kombeve, lehtësimin e bashkëbisedimeve, sjellin bashkëpunime, duke kontribuar kështu edhe në zhvillimin dhe forcimin e paqes botërore.
‘Çdo kulturë meriton respekt global’ është tema e sivjetme e caktuar për të shënuar “Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit’, ditë kjo që shënohet qysh nga vitit 2017, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 71/288, për rolin e profesionistëve të gjuhëve në lidhjen e kombeve dhe nxitjen e paqes në botë.