Sipas statistikave të bëra, çdo 30 sekonda, shënohet një sëmundje e lidhur me hepatitin, prandaj këtë vit, “Dita Botërore e Hepatit” shënohet nën kampanjën e emëruar “Nuk mund të pres”. Kjo kampanjë mëton që të nxjerrë në pah nevojën për të përshpejtuar luftën kundër hepatitit dhe rëndësinë e testimit dhe trajtimit për njerëzit që kanë nevojë për të. Fushata do të përforcojë zërat e njerëzve të prekur nga hepatiti, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm dhe për t’i dhënë fund stigmës dhe diskriminimit.
Infeksioni viral i hepatitit është mjaft i përhapur, ku në mbarë botën, ka rreth 400 milionë njerëz të infektuar. Në rrafsh global, çdo vit, nga hepatiti gjejnë vdekjen rreth 1,4 milionë njerëz. Vlerësohet se vetëm 5% e personave me hepatit kronik janë të vetëdijshëm se janë të infektuar, ndërsa më pak se 1% kanë qasje në trajtim.
Virusi i hepatitit, ndahet në pesë lloje kryesore: A, B, C, D dhe E. Hepatiti B dhe C, prekin më shumë njerëzit, duke rezultuar në 1.1 milion vdekje dhe 3 milionë infeksione të reja brenda një viti. Siç pohojnë profesionistët shëndetësor, virusi i hepatitit mund të qëndrojë i fshehtë në organizëm nëse nuk bëhen kontrolle të vazhdueshme, duke shkatërruar mëlçinë dhe organet e tjera.
Mbi 90% e të infektuarve me hepatit C, mund të shërohen plotësisht në një afat nga 3 deri në 6 muaj, dhe për t’u mbrojtur nga ky virus ekziston vaksina e zbuluar në vitin 1969, nga shkencëtari Baruch Samuel Blumberg.