Diabeti shfaqet kur organizmi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk arrin ta përdorë atë siç duhet, duke shkaktuar rritjen e nivelit të sheqerit në gjak. Etja e shtuar, urinimi i shpeshtë, lodhja dhe humbja e pashpjegueshme e peshës janë disa nga simptomat që nuk duhen neglizhuar. Çdo vit, më 14 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Diabetit’, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje kronike dhe ndikimin e saj në shëndetin e njeriut.
Parandalimi i diabetit të tipit 2 mund të ndihmohet përmes një ushqyerjeje të shëndetshme, aktivitetit fizik të rregullt dhe mbajtjes së peshës trupore në nivele të shëndetshme. Po aq të rëndësishme janë edhe kontrollet mjekësore, pasi diabeti mund të zhvillohet pa shfaqur simptoma të dukshme. Matja e glukozës në gjak dhe analiza e HbA1c, ndihmojnë në zbulimin dhe monitorimin e diabetit. Nëse nuk menaxhohet siç duhet, diabeti mund të shkaktojë komplikime serioze, duke dëmtuar zemrën, veshkat, sytë dhe sistemin nervor.
Informimi, kontrollet e rregullta dhe një mënyrë jetese e shëndetshme janë hapa thelbësorë për parandalimin dhe menaxhimin e diabetit.







