Zhvillime të reja nga bota e teknologjisë dhe shkencës sërish po tërheqin vëmendje. Apple pritet të prezantojë tri modele të reja iPad gjatë vitit 2027, me procesorë më të fuqishëm, ekrane OLED dhe mbështetje për inteligjencën artificiale.
Ndërkohë, Kosova do të jetë nikoqire e garës ndërkombëtare European Defense Tech, e cila do të mbahet nga data 20 deri më 22 nëntor, në Prishtinë. Pjesëmarrësit do të zhvillojnë zgjidhje për inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe zbulimin e dronëve, ndërsa për fituesit janë ndarë 6 mijë euro shpërblim.
Në fushën e mjekësisë, studiuesit e lidhur me Harvardin kanë identifikuar gjashtë kombinime molekulash që rikthyen disa karakteristika të qelizave të reja në qelizat e plakura gjatë eksperimenteve laboratorike.
Po ashtu, shkencëtarët e institutit KAIST në Korenë e Jugut kanë arritur të nxisin qelizat kancerogjene të zorrës së trashë drejt një gjendjeje të ngjashme me atë normale, përmes një modeli kompjuterik të avancuar. Të dyja këto kërkime janë ende eksperimentale dhe nuk përfaqësojnë trajtime të aprovuara për njerëzit.
Ndërkohë, ekspertët rikujtojnë rëndësinë e sigurisë së të dhënave personale, duke rekomanduar krijimin e kopjeve rezervë (backup) sipas rregullit 3-2-1: tri kopje të të dhënave, në dy lloje të ndryshme ruajtjeje dhe një kopje në një lokacion tjetër.







