Të gjithë jemi të ndryshëm, por pikërisht këto dallime e bëjnë shoqërinë tonë dhe njerëzimin në përgjithësi më të pasur dhe më interesant. Sot, më 16 nëntor, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Tolerancës’, e shpallur nga UNESCO në vitin 1995, me qëllim promovimin e respektit, mirëkuptimit dhe pranimit të dallimeve mes njerëzve.
Toleranca fillon me gjëra të vogla, kur dëgjojmë të tjerët pa paragjykime, kur i respektojmë mendimet që ndryshojnë nga tonat dhe të mos gjykojmë dikë për shkak të prejardhjes, kulturës apo mënyrës së jetesës.
Familja dhe shkolla luajnë rol të rëndësishëm në mësimin e këtyre vlerave që në fëmijëri. Përmes bisedave, shembujve pozitivë dhe bashkëpunimit me njerëz të ndryshëm, fëmijët mësojnë se jo të gjithë duhet të mendojnë njësoj për ta merituar respektin.
Të jesh tolerant, nuk do të thotë të pajtohesh me gjithçka, por të pranosh se secili ka të drejtë të mendojë ndryshe, për sa kohë respektohen të drejtat dhe dinjiteti i të tjerëve.
Në fund, një shoqëri më e mirë ndërtohet kur dallimet nuk na ndajnë, por na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin.






