Efektet speciale, yjet e Hollywood-it dhe teknologjia moderne po i çojnë buxhetet e filmave në shifra marramendëse, duke kaluar edhe 400 milionë dollarë për një produksion të vetëm.
Industria e filmit po investon gjithnjë e më shumë në realizimin e produksioneve gjigante. Në krye të filmave më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë renditet ‘Pirates of the Caribbean: On Stranger Tides’ (2011), me një buxhet prodhimi prej rreth 379 milionë dollarësh.
Pas tij renditen ‘Avengers: Age of Ultron’, me rreth 365 milionë dollarë dhe ‘Avengers: Endgame’, me rreth 356 milionë dollarë. Ndërsa, filmi ‘Avatar: The Way of Water’ vlerësohet të ketë kushtuar nga 350 deri në 400 milionë dollarë.
Një pjesë e madhe e buxhetit shpenzohet për efekte vizuale, teknologji CGI, skena aksion dhe krijimin e botëve digjitale. Po ashtu, pagat e aktorëve të me famë botërore, ndërtimi i skenografive, xhirimet në lokacione të ndryshme dhe ri-xhirimet ndikojnë ndjeshëm në kostot përfundimtare. Shpenzimet nuk përfundojnë me realizimin e filmit. Fushatat ndërkombëtare të marketingut dhe shpërndarjes mund të kërkojnë edhe qindra miliona dollarë shtesë.
Pavarësisht kostove të larta, studiot vazhdojnë të investojnë në produksione gjigante, duke shpresuar në sukses në kinematë botërore dhe fitimet nga vazhdimet, platformat digjitale dhe produktet promocionale.






