Në nivelin global, radio ende mbetet mediumi më i dëgjuar. Nga një rezolutë e veçantë e Kombeve të Bashkuara në vitin 2011, sot (13.02.21), zyrtarisht shënohet ‘Dita Botërore e Radios’. Aftësia unike për të arritur audiencën më të gjerë, do të thotë që radio përbën shembullin më të mirë të diversitetit të një shoqërie, të qëndrojë si një arenë për të gjithë zërat që të përfaqësohen dhe të dëgjohen. Stacionet e radios duhet t’u shërbejnë komuniteteve të ndryshme, t’ju ofroj një larmi të gjerë programesh, këndvështrimesh dhe përmbajtjesh dhe të pasqyrojnë shumëllojshmërinë e audiencës.
Dëgjuesit e Radio KFOR-it paraqesin pjesën më të bukur të punës sonë të përditshme, të cilët ndajnë pjesë të ditës së tyre me ne. Për nder të kësaj dite, disa nga dëgjuesit më besnik të Radio KFOR-it, kanë ndarë disa mesazhe:
“Përshëndetje, jam Endriti nga Mitrovica punoj si shofer në një kompani të taxit. Radion e dëgjoj për shkak se është shoqëruesi im më i mirë gjatë orarit të punës.”
“Unë jam Arta Halili, menaxhere e financave në një kompani vendore. Më pëlqen ta dëgjoj radion meqenëse përkushtimi dhe koncentrimi në punë kërkon diçka në background që të jep energji të mirë dhe nuk të pengon, siç është radio.”
Valët e radios u identifikuan dhe studiuan për herë të parë nga fizikani gjerman, Heinrich Hertz, në vitin 1886. Transmetuesit e parë të programeve u zhvilluan rreth viteve 1895–1896. nga Guglielmo Marconi dhe radio filloi të përdorej komercialisht rreth vitit 1900.