Nicole Scherzinger së bashku me Melody Thornton, Jessica Sutta, Ashley Roberts, Kimberly Wyatt dhe Carmit Bachar, hynë në historinë e muzikës botërore të njohura ndryshe me emrin e bendit të tyre Pussycat Dolls.
Grupi u themelua zyrtarisht në vitin 1995, nga koreografi Robin Antin, ndërsa pjesë e The Pussycat Dolls, ishin vajzat të cilat fillimisht ishin të njohura si valltare. Pasi tërhoqën vëmendjen amerikane, menaxheri i tyre Antin, përfundimisht negocioi një marrëveshje me ‘Interscope Records’, në vitin 2003 dhe grupi u transformua në bend muzikor. Kënga e tyre debutuese ‘Sway’, i solli ato në vëmendjen e publikut dhe ishte kolona zanore e filmit të vitit 2004 ‘Shall We Dance’.
Ato vazhduan me turne të shumta, ndër vite lansuan edhe albume të tjera, deri sa edhe filloi shpërbërja e grupit. Pussycat Dolls me kohën mbetën vetëm histori, meqenëse vajzat po synonin sukses në karrierën e tyre si solo këngëtare.
Nga kjo ndarje e grupit, më shumë u dallua artistja amerikane Nicole Scherzinger, e cila arriti të realizoj edhe shumë bashkëpunime të tjera të suksesshme gjatë karrierës së saj solo, ndër to dallohen duetet me 50 Cent, Enrique Iglesias, Diddy dhe Pitbull.
Pussycat Dolls kanë shitur 54 milionë albume në të gjithë botën, duke i bërë ato një nga grupet më të dëgjuara të vajzave të të gjitha kohërave. Ato u bashkuan sërish në vitin 2019 në një paraqitje në spektaklin ‘X Factor’, me një performancë madhështore, duke kënduar për herë të parë këngën e tyre ‘React’ .