Në përgjigje të shqetësimeve në rritje të numrit dhe kërcënimit shëndetësor të paraqitur nga diabeti, Organizata Botërore e Shëndetësisë, në vitin 1991, vendosi që data 14 nëntor t’i kushtohet “Ditës Botërore të Diabetit”.
Lidhur me këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi Dr. Sci. Interniste-endokrinologe-diabetologe, Merita Emini – Sadiku, e cila theksoi: “Për shkak të ‘Covid-19’, nuk është organizuar ndonjë aktivitet tek ne, por ne vazhdojmë me sensibilizimin e popullatës përmes mjeteve të informimit dhe rrjeteve sociale që ata t’i rrisin njohuritë për sëmundjen e sheqerit, ku dihet se çdo vit është duke u shtuar numri i të prekurve me diabet. Tema e sivjetme u kushtohet infermierëve, ku potencohet që infermierët e bëjnë diferencën në sëmundjen e sheqerit. Sivjet i kanë dhënë rëndësi infermierëve, sepse ata kanë qene faktikisht engjëjt e secilit pacient në nevojë, qoftë me ‘Covid -19’, qoftë me sëmundje të sheqerit, sëmundje të zemrës e kështu me radhë.”
Shënimi i “Ditës Botërore të Diabetit” është fushata më e madhe në botë e ndërgjegjësimit për diabetin, që arrin një audiencë globale me mbi 1 miliard njerëz, në më shumë se 160 vende të botës.