Policia e Kosovës (PK), në përputhshmëri me ligjin anti-covid dhe me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, po vazhdon të gjobis personat që nuk po i bartin maskat. Në lidhje me gjobat e shqiptuara nga PK, për mos respektimin e ligjit anti-covid, Radio KFOR-i bisedoi me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha: “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj, si në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, po ashtu edhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve si prioritet, nëpër periudhën të cilën po kalojmë. Nga data 26.08.2020 deri me 16.05.2021, janë shqiptuar 197 mijë e 186 fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit COVID-19. Duke marr parasysh sfidat dhe rrezikun që mund të vije nga prekja me virus apo edhe përhapja e virusit në fjalë, kërkojmë nga të gjithë pa dallim që masat dhe kufizimet, të respektohen në përpikëri dhe bashkërisht të arrijmë ta menaxhojmë pandeminë, në të mirë të shëndetit tonë dhe atij publik në përgjithësi.”
Ligji për mbrojtje nga virusit Covid-19, është miratuar me datën 14 gusht, të vitit 2020 dhe do të shfuqizohet në ditën e shpalljes së përfundimit të pandemisë COVID-19.