Përveç aspekteve të tjera, pandemia COVID-19 ka prekur edhe sistemin e arsimit, duke ndikuar si në mësimdhënie, mirëpo edhe në mësim nxënie. Rrjedhimisht, kjo situatë po vazhdon të jetë sfiduese edhe për mësimdhënësit, të cilët po vazhdojnë të përshtaten në kushte të ndryshme, të imponuara nga kjo gjendje.
Mirënjohës ndaj punës së mësimdhënësve tanë, është edhe Radio KFOR-i, i cili përmes një kampanje të organizuar, mëton të pasqyroj punën vetëmohuese të tyre edhe në këtë situatë pandemie. Për mediumin tonë, mësimdhënësja e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë, znj. Zylfije Gjoshi-Namani, rrëfeu rrugëtimin e saj sfidues dhe të vegjëlve të saj, gjatë kësaj periudhe pandemike: “Fillimi i vitit të ri shkollor, një jetë e re, një fillim i ri për vogëlushët që do të uleshin për herë të parë në bankat shkollore. Ditët e para ishin të mbushura plot gëzim, i mblodha rreth vetes fatosat e vegjël, si të ishin fëmijët e mi. Më kujtohen ditët e para me ta, hapi i parë drejt shkollës “Hasan Prishtina”, me buqeta lulesh në duar për mua, njohja me njëri tjetrin, me ambientin shkollor dhe klasën. Kaluan ditët, javët e muajt, ne vazhduam që mësimet ,shkronjat, numrat, këngët t’i thurnim për bukuri dhe të mësojmë e kultivojmë njohuri të reja. Por, në mars, të vitit 2020, gjithçka ndryshoi jetën tonë. Situata ishte e rëndë jo vetëm për ne, por për të gjithë, e sidomos për fëmijët, nxënësit tanë. Ata ishin të pafajshëm dhe të hutuar se çfarë po ndodhte?! Por edhe më e rëndë u bë gjendja kur më 12 mars, të vitit 2020, u ndërpre mësimi dhe ëndrrat e thurura na mbetën të përgjysmuara. U ndërpre mësimi, kënga, loja, kërcimi, buzëqeshja, e mbi të gjitha përqafimi me njëri tjetrin. U mbyllëm në shtëpi, me mësime online. Ky virus na e vodhi diellin, ujin, qiellin, lulet, natyrën e çdo gjë rreth nesh. Një fëmijë që nuk mund të luaj, është fëmijë me krah të prerë, nuk mund të fluturoj. Pyetjet që ia bëja vetes ishin: A duhet t’i vlerësoj ata me notë? Të vlerësoj se si kanë mundur t’i bëjnë ballë kësaj gjendjeje?! Unë bëra atë që munda. Prindërit bënë atë që mundën. Fëmijët bënë shumë më shumë se ne. Ata mundën të na duronin në këto rrethana të vështira. Ata nuk e përjetuan gëzimin, përfundimin e shkronjave, kapelat për festën e Abetares, që ishte ëndërr e çdo fëmije. E gjithë kjo u fut brenda një kutie kompjuterike, që për ta ishte shumë e rëndë. Mësuesja është modeli, drita, frymëzimi, motivi, shpresa e jetës së tyre. Është ëndrra dhe gëzimi i tyre. Uroj dhe shpresoj që shtatori i vitit të ardhshëm, të filloj mbarë! Jam krenare me nxënësit e mi të klasës II/1, për qetësinë dhe durimin në këtë situatë të rëndë dhe të vështirë, me lëvizje të kufizuara. Njëherit jam falënderuese edhe ndaj prindërve që dhanë kontributin e tyre në një situatë të tillë”, përfundoi kështu rrëfimin mësuesja, Zylfije Gjoshi-Namani.