Me anë të një video-konference, të mbajtur të mërkurën, më 7 tetor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka shënuar 20 vjetorin e Rezolutës 13/25, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku ndër të tjerash u diskutua edhe zbatimi i kësaj Rezolute në Kosovë.
Pjesë e kësaj video-konference ishin 20 folës nga institucione dhe organizata ndërkombëtare e vendore.
Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Znj. Clare Hutchinson, foli për kontributin e saj në hartimin e kësaj Rezolute dhe ndau përvojat e saj në Kosovë: “Po bëhen 20 vite të kësaj Rezolute dhe kjo është e mrekullueshme. Ne nuk do të ishim duke folur për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë epokë të sigurisë, po të mos ishte kjo rezolutë, e cila është adaptuar. Pra, e kemi lëvizur topin nga diskutimi për situatën në të cilën janë gratë në dialog për sigurinë dhe paqen. Kjo është arritje në vete. Ne në NATO kemi më shumë gra në lidership, në ministri të mbrojtjeve, kemi më shumë gra të angazhuara në ushtritë nacionale. Por prapë, numrat nuk janë çelësi, por vënia në planifikim dhe ne po e bëjmë atë. Kemi parë më shumë angazhim në planifikim, në dy aspekte, atë ushtarak dhe politik. Të drejtat e grave janë të drejta njerëzore.”
Ndërsa, Komandanti i Misionit të KFOR-it, Gjeneralmajori Michele Risi, i cili ishte prezent në këtë konferencë, përmendi gratë e suksesshme në Kosovë, të cilat kanë kapërcyer dallimet etnike, për të bashkëpunuar për të mirën e komunitetit: “Ne kemi parë shumë gra këtu në Kosovë, të cilat po punojnë përtej dallimeve etnike, që kanë qenë të pakapërcyeshme për të tjerët, dhe këto gra, kanë kapërcyer këto dallime dhe mendoj se ne si KFOR kemi gjetur dhe duhet të vazhdojmë të gjejmë mënyra për t’i përkrahur ato në misionin e tyre. Ato na kanë dhënë shembullin më të mirë se si një qasje gjithëpërfshirëse çon në zgjidhje më të mirë dhe përmirëson shanset për bashkëpunim ndëretnik, i cili është çelësi për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të sigurisë në Kosovë.”
Në 20 vitet e fundit është shënuar progres i madh në integrimin e perspektivës gjinore në operacionet e paqes, tha shefja e Zyrës për Çështje Gjinore në KFOR, Major Elisabeth Scheicher, e cila shtoi: “Një nga objektivat e kësaj rezolute është përfshirja e perspektivës gjinore në operacionet e paqes dhe rezoluta 13/25, prezanton bazën se pse NATO përfshinë perspektivën gjinore në operacionet e saj. Në 20 vitet e fundit është bërë progres i madh në integrimin e perspektivës gjinore në operacionet e paqes, qoftë në aspektin civil apo ushtarak.”
Pjesë e video-konferencës së sotme ishte edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila tha: “Është bërë progres në pjesëmarrjen e grave në nivel institucional dhe qeveritar, megjithatë para nesh ende kemi sfida me të cilat duhet të përballemi, kur bëhet fjalë për fuqizimin e grave.”
Në video-konferencën e sotme u prezantuan edhe fushatat që ekipi i Radio KFOR-it ka realizuar ndër vite, për promovimin e të drejtave të grave dhe fuqizimin e tyre.
Në këtë konferencë u konkludua nga pothuajse të gjithë pjesëmarrësit, se ‘pa pjesëmarrjen e grave, nuk mund të ketë paqe dhe siguri të qëndrueshme’.