Këtë vit, do të mbahet edicioni i III-të me radhë i ‘Nomad Festival’, i cili në thelb ka rrjetëzimin e artistëve nga e mbarë bota. Ashtu sikurse viteve të kaluara, ‘Nomad Festival ‘do të zbukurojë Mitrovicën Jugore dhe Veriore me murale plot ngjyra, të cilat janë krijim i përbashkët i të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë.
Ky festival i cili organizohet nga ‘Futja Ngjyrë’ do të mirëpresë edhe artistë nga bota, këtë e tregoi për Radio KFOR-in Drejtori Ekzekutiv i ‘Futja Ngjyrë’, z. Bardhyl Dobroshi: “Ashtu sikurse viteve të kaluara edhe këtë vit pjesëmarrës do të jenë artistë nga të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë. Ndërsa, edicioni i III-të është edhe më i veçantë pasi që kemi edhe artistë, mysafirë nga bota. Pastaj, kemi mbështetje më të madhe të Ambasadës Amerikane, me të cilët po mundësohet sigurimi i qëndrimit të artistëve që nuk janë nga Kosova. ‘Nomad Festival’ ndahet në 3 etapa: Etapa e I-rë fillon nga data 16 gusht deri më 20 gusht, ku do të mbahen punëtori, në të cilat të rinjtë do të mësojnë teknikat dhe talentin e tyre që kanë skicuar në letër, e të njëjtat do të shikohen se si mund të kthehen në murale. Etapa e II-të është kampi i cili do të mbahet nga data 24 deri më 29 gusht. Kampi do të mbahet në ‘Trepçe’ të Mitrovicës, aty artistët do t’i ndajnë njohuritë e tyre, do të njoftohen më mirë me njëri-tjetrin si dhe do të realizojnë prova se si do të dalin punimet dhe njohuritë që i kanë përfituar nga punëtoritë. Faza e III-të fillon nga 5 deri më 20 shtator, atëherë kur edhe do të mbushet Mitrovica me murale.”
‘Nomad Festival’ do të mbahet në disa lokacione në Mitrovicë, ndërsa të gjithë ju që jeni të interesuar për pjesëmarrje mund të aplikoni në linkun: https://forms.gle/XygLL3hVZgRm5hZ56