Temperaturat e larta dhe thatësira që ka mbizotëruar në vendin tonë viteve të fundit, kanë bërë që në vazhdimësi ujësjellësit rajonalë, të bëjnë apel tek te gjithë qytetarët, që të kenë kujdes në përdorim racional të ujit, në mënyrë që të kemi furnizim të rregullt. Këtë apel, e ka bërë edhe njëherë përmes frekuencave të Radio KFOR-it, Zyrtari Kryesor Financiar në ‘KRU Prishtina’, Naim Mujaj, i cili aktualisht është duke zëvendësuar drejtorin: “Aktualisht ‘KRU Prishtina’, është duke punuar me kapacitete të plota, me qëllim që të përmbushë të gjitha nevojat për ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët. Megjithatë, kohëve të fundit shihet që jemi duke u ballafaquar me një thatësi relativisht të madhe dhe si pasojë e kësaj, është rritë edhe konsumi i ujit. Megjithatë, neve po mundohemi që të jemi në nivel të detyrës, por çka duhet të themi në këtë rast është që kërkojmë nga të gjithë qytetarët të kursejnë ujin sa më shumë që të jetë e mundur, për arsye se duke mos kursyer ose duke shpërdoruar ujin për nevoja jashtë amvisërisë, një pjesë e qytetarëve do të mbeten pa furnizim, e sidomos ata që ndodhen në pika më të larta. Nga ana jonë, u bëjmë thirrje që së paku deri sa të kalojë kjo kohë e thatësisë, qytetarët të kursejnë ujin e pijshëm, për veten e tyre dhe për konsumatorët që jetojnë në pika më të larta, aty ku furnizimi është më i vështirë.”
Për të pasur furnizim të rregullt të ujit të pijshëm, duhet që secili nga ne të tregohemi të kujdesshëm, që ujin ta shfrytëzojmë në mënyrë sa më racionale dhe kështu duke u përkujdesur që ta kursejmë ujin, do të sigurojmë edhe furnizim të rregullt të tij.