Tendenca për t’u dukur bukur, kurrë nuk ka qenë më e shprehur se sa kohëve të fundit. Fusha e mjekësisë për ndërhyrjet estetike, sa vjen e perfeksionohet dhe rrjedhimisht edhe kërkesat shtohen nga ata që dëshirojnë të ndërrojnë diçka në pamjen e tyre dhe të duken bukur.
Mirëpo, për të mësuar më shumë për rrezikshmërinë e ndërhyrjeve estetike, Radio KFOR-i ka biseduar me Dermatovenetologen, Dafina Ibrahimi: “Ndërhyrjet estetike janë të rrezikshme kur bëhen nga persona të paautorizuar, do të thotë kur këto ndërhyrje nuk kryhen nga profesionistë të fushës, të cilët nuk kanë njohuri për shtresat e lëkurës dhe shumëçka tjetër sa i përket lëkurës. Përndryshe, nëse këto ndërhyrje bëhen nga profesionistë, atëherë nuk mund të flasim për rreziqe. Përmendim këtu shumë tretmane si PRP dhe shumë të tjera, për të cilat nga të dhënat që kemi, nuk ka ndonjë rrezik, gjithmonë nëse realizohen nga profesionistët.”
Sa i përket çmimeve të ndërhyrjeve estetike, ato variojnë nga vendoi në vend. Shembull mund të marrim rinoplastikën e cila nëse realizohet në Angli, Francë ose Belgjikë, mund të kushtojë nga 6 mijë deri në rreth 8 mijë euro, përderisa në SHBA deri në 15 mijë dollarë, duke u bërë edhe vendi më i shtrenjtë për këtë intervenim.