Sot, 14 prill, duke filluar nga ora 15:00 në Teatrin ODA do të jepet performanca e të rinjve në formë të Forum Teatrit “Othello nga Kosova”, që vjen nën organizimin e Artpolis në kuadër të Koalicionit të Kosovës për Pajtim.
Për të kuptuar më shumë rreth shfaqjes në fjalë e cila do të bëjë bashkë komunitete të ndryshme në Kosovë, Radio KFOR-i ka biseduar me Zyrtaren për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun në Qendrën Artpolis, Znj. Venera Ismaili: “Kjo shfaqje vjen si rezultat i një trajnimi që më herët e kemi mbajtur me të rinjtë nga Kosova që quhet “Edukimi i bazuar në teatër”, që është specifik ku pjesëmarrësit mësojnë gjërat bazike rreth teatrit e mbi të gjitha ky trajnim adreson çështje të rëndësishme për shoqërinë tonë. Kjo shfaqje adreson bashkëjetesën multietnike, problemet por gjithashtu edhe tejkalimin e tyre pikërisht nga përkrahja e gjithë shoqërisë sonë.”
Shfaqja “Othello nga Kosova” sjell një histori dashurie në mes të dy të rinjve të komuniteteve të ndryshme, tradhtitë, ofendimet mirëpo edhe intrigat shekspiriane nuk do të mungojnë në shtjellim të ngjarjes.