Për herë të dytë me radhë, organizohet në Kosovë koncerti i njohur botërisht , ‘Metal United World Wide – MUWW’, i cili do të mbahet më 15 qershor, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, në Prishtinë, në ora 17:00. Ky koncert realizohet në 70 shtete të botës, ku përfshihen mbi 300 bende të ndryshme të zhanreve rock dhe heavy metal.
Se kush do të jenë pjesëmarrësit e këtij edicioni të këtij koncerti i cili po afron me shpejtësi, të organizuar nga rock bari Rockuzinë, Radio KFOR-i kontaktoi me zyrtarin për informim të koncertit në fjalë, Fatos Dobroshi:
“Sivjet koncerti ka karakter bamirës, meqenëse 30% e të hyrave do tu jepen fëmijëve me leukemi. Poashtu do të kemi performues fantastik, në mesin e tyre Eugent Bushpepa nga Tirana, Sunchair nga Dusseldorf, Jericho nga Prishtina, Harmed nga Budapest si dhe bendet 4×4, Land of Confusion, Frisson, Krieg, Sotap dhe Shlem”, tha z. Dobroshi, i cili poashtu nënvizoi se përmes kësaj ngjarjeje bashkohen bende, fansa, organizatorë dhe media, duke krijuar një ndenjë që tërheq vëmendjen e të gjithëve.
‘Metal United World Wide’ ka filluar të organizohet që nga viti 2014 në Australi, kurse nga viti 2018, në kuadër të MUWW mbahen koncerte të llojit të njejtë, në të gjithë botën, në të njejtën datë, të identifikuara me të njëjtin flamur.