Në kuadër të organizimeve për muajin e shëndetit mendor që po shënohet në Kosovë, qendra ‘Termokiss’ në bashkëpunim me ‘Qendrën për Informim dhe Përmirësim Social’ dhe ‘Social Lab’, duke filluar nga data 25 maj i këtij viti, do të zhvillojnë një aktivitet për të krijuar një aplikacion që ndihmon për të mësuar më shumë rreth shëndetin mendor. Po ashtu në kuadër të këtij aktiviteti do të mbahen edhe diskutime për shëndetin mendor nga ekspertë të kësaj fushe. Zyrtar i cili administron projektet në qendrën ‘Termokiss’, Edonis Hashani, për Radio KFOR-in tregoi më shumë për këtë ngjarje:
“Kemi organizuar dy aktivitete që lidhen me shëndetin mendor duke ditur rëndësinë e madhe të shëndetit mendor. Kemi organizuar një ‘Hackathon’, që është një maratonë e kodimit, programimit të aplikacioneve dhe softverëve, ku në fund do të bëjmë zhvillimin e një aplikacioni mobil në lidhje me trajtimin e ankthit, stresit dhe depresionit”, tregoi Edonisi.
Qendra Termokiss fton të gjithë ata të cilët merren me fushën e teknologjisë informative të ndihmojë për të zhvilluar aplikacione, duke ndihmuar kështu komunitetin që të reduktoj stresin dhe aspekte që lidhen me shëndetin mendor. Edonisi tregoi se aktivitetet do të përfundojnë me një diskutim mbi këtë temë, të hënën (27.05.19) ku penalistë do të jenë psikologët Eurisa Rukovci dhe Bind Skeja.