‘Dita Ndërkombëtare e Librit’ shënohet sot (05.03.20) në gjithë botën, për të rikujtuar rëndësinë e librit në zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë. Në Kosovë për nder të kësaj ditë është promovuar platforma ‘N’go e M’so’, një platformë online, e cila më vonë do të plotësohet edhe me një aplikacion për pajisjet e mençura, aplikacion ky në të cilin njerëzit do të kenë qasje online në libra të lexuara me zë, në gjuhë të ndryshme. Krijuesit e kësaj platforme kanë treguar se kjo librari online do të ofrojë vepra të ndryshme nga autorët shqiptarë e të huaj për lexuesit, duke sjellur efekte shumë pozitive në edukim, rritje të lexueshmërisë, por edhe në ngritjen e vetëdijes shoqërore për lexim.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, bashkëthemeluesja e kësaj platforme, Fillojetë Konjufi, tregoi për benifitet që do të sjellë kjo bibliotekë online: “Qëllimi ynë është që qytetarët shqiptarë ku do që ndodhën të lexojnë e mësojnë sa më shumë, sepse vetëm me dituri gjërat edhe mund të na ecin për së mbari. Pjesë e platformës mendohet të jenë edhe librat apo lekturat obligative shkollore për nxënësit e të gjitha cikleve. Këtu mendohet të përfshihen edhe librat për nxënësit e minoriteteve, përfshirë këtu serbisht, turqisht dhe anglisht.”
Për të gjithë juve që keni dëshirë të kontribuoni duke lexuar titujt tuaj të preferuar, mund të shkruani përmes faqes në Facebook ‘N’go e M’so’ apo edhe përmes email-it ngoemso@gmail.com.
Ndërsa për të dëgjuar librat, mund të informoheni në vegëzën në Youtube: http://bit.ly/2VuyVt5