Inspiruar nga idetë e vullnetarëve të Kinemasë, me qëllimin të përkrahjes dhe ofrimit të një audience më të madhe për artistët e rinj në Kosovë, sot (05.06.19), KinoJusuf Gërvalla, fton të gjithë dashamirët e muzikës LIVE që të argëtohen nën tingujt e bukur të saj, duke filluar nga ora 19:00.
Kjo ngjarje do të realizohet me moton ”T’i japim dashuri muzikantëve të rinj”, në tendencë për ti përkrahur vazhdimisht ata, duke ua mundësuar vurjen në pah talentin e tyre. Për qëllimin konkret të këtij projekti, për Radio KFOR-in foli koordinatorja për komunikim, Arberita Kollçaku:
“Këtë ngjarje e kemi menduar fillimisht me vullnetarët e Kinemasë Jusuf Gërvalla, pasi që ata donin ta bënin një aktivitet para Festivalit ndërkombëtar të animacionit, këtu në Pejë, idea e të cilëve ishte promovimi i artistëve të rinj në Kosovë, në mënyrë që të ju japim sa më shumë hapsirë dhe të shpalosim talentin e tyre”, tha znj. Kollçaku.
Në këtë mbrëmje, të pranishmit do t’i argëtojnë këngëtarja Elmedinë Ramushi dhe kitaristi Genc Morina, ndërsa hyrja për të gjithë do të jetë falas.