Me shumë aktivitete, në Kosovë po shënohet sot ‘Dita Botërore e Mjedisit’, datë kjo që shënohet çdo 5 qershor me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për të mbrojtur mjedisin. Një manifestim qendror po mbahet sot në parkun e Gërmisë, e organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Organizatorët kanë ngritur një tendë për të paraqitur projektet dhe iniciativat që janë ndërmarrë për mbrojtjen e mjedisit dhe zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë. Ndërsa, vëmendja e posaçme ndahet për vetëdijesimin e qytetarëve për të luftuar ndotjen e ajrit. Pjesëmarrësve do t’u jipen shirita të gjelbër – ‘green ribbons’ dhe të gjithë ata që bëhen pronarë të këtyre shiritave do të zotohen se do ta mbrojnë mjedisin ku jetojnë.
5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së apo 45 vjet më parë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes rreth çështjeve të mjedisit, për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.