Loja e shahut konsiderohet si një nga lojërat antike me ndërthurje të sportit, të menduarit dhe elementeve të arteve. Kjo lojë unike e shpikur në Indi, në shekullin e pestë, u quajt fillimisht “Chaturanga”, për tu bërë e famshme në gjithë botën. Sot (20.07.21), e gjithë bota shënon ‘Ditën ndërkombëtare të shahut’ për të nderuar komunitetin e shahut. Në fakt, kjo lojë mund të zgjasë me javë të tëra, por edhe mund të përfundoj shumë shpejtë, vetëm me dy lëvizje.
Loja e shahut kërkon përkushtim dhe vëmendje por edhe inteligjencë. Tash e disa vite në Kosovë, është themeluar klubi i shahut të grave ‘Malësorja e Kosovës’ në Prishtinë. Drejtoresha ekzekutive e këtij klubi, Shehrije Gërbeshi, në një intervistë për Radio KFOR-in, tregoi për klubin që drejton ajo dhe rëndësinë e lojës se shahut: “Klubi ynë është themeluar në vitin 2017, ku kemi mbi 100 të anëtarësuara, ndërsa i kemi 20 pjesëtare, të cilat garojnë nëpër gara vendore dhe ndërkombëtare të shahut. Ne kemi ndihmuar edhe në hapjen e klubeve të tjera të shahut, nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Veçantia e lojës së shahut është se kjo lojë luhet edhe nga gratë, mirëpo në të kaluarën e kanë luajtur po thuaj se vetëm meshkujt. Shahu nuk njeh moshë, gjini apo etni dhe gratë vijnë në klubin tonë dy herë në javë, për të ushtruar dhe për gara ku mësojmë alfabetin e shahut, praktika të reja të shahut dhe elemente të tjera të kësaj loje të veçantë.”
Znj, Shehrije dëshmon se një lojë, sport apo punë, mund të bëhet nga të gjithë pa dallim gjinie dhe se klubi i saj e dëshmon këtë fakt. Aktualisht kampion bote në shah është Magnus Carlsen nga Norvegjia, derisa këtë vit do të mbahet gara tjetër për këtë titull.