Leximi na pasuron jetën, na bën të ditur, prandaj të gjitha librat kanë vlerën e tyre. Megjithatë, në mesin e shumë librave janë disa tituj që janë më të kërkuar për t’u lexuar. Se cilët libra kanë qenë më të kërkuara tek ne, përgjatë këtij viti, Radio KFOR-i kontaktoi, koordinatoren e Librarisë “Dukagjini”, Iliriana Hasaj, e cila theksoi: “Ka pasur shumë tituj, shumë libra të ndryshëm që kanë pasur një shitje jashtëzakonisht të madhe apo interesim. Janë disa libra që realisht po kalojnë vitet dhe ende janë në krye të librave më të shitur, siç është “Sekreti”, nga Rhonda Byrne, apo “Alkimisti” nga Paulo Coelho. Mirëpo, ka pasur edhe tituj të tjerë. Është një fakt shumë interesant, sepse që në momentin kur filloi pandemia menjëherë filloi të rikthehet interesimi shumë i madh për librin “Dashuri në kohërat e kolerës” i autorit Gabriel Garcia Marquez. Kurse tituj të tjerë që kanë qenë të kërkuar janë “Tatuisti i Aushvicit” nga Heather Morris, “Unë dhe Hemnigueji” nga Paula Mclain, një histori e vërtetë. Gjithashtu është edhe një tjetër libër shumë interesant, i cili e ka titullin “The Subtle Art of Not Giving a F*ck” nga Mark Manson, një libër që është pëlqyer dhe është blerë jashtëzakonisht shumë. Mos të harroj është edhe libri i Michelle Obama “Të bëhesh” (Becoming).
Duke ju uruar lexim të këndshëm, këtë artikull e përmbyllim me thënien e Bertrand Russell: “Ka dy arsye për të lexuar një libër: e para se leximi të shijon; e dyta sepse mund të mburresh rreth tij.”