Termi ‘normalitet i ri’ është dëgjuar shumë muajve të fundit me përfshirjen e gati çdo cepi të botës nga pandemia e shkaktuar nga virusi Covid-19. Një tranzicion kaq i shpejtë i jetës dhe rutinës sonë, ka sjellur një dinamikë krejtësisht të re, duke ndryshuar mënyrën tonë të jetës, punën, shoqërinë dhe shumë aspekte të tjera.
Për të kuptuar më qartë se çfarë do të thotë termi ‘normalitet i ri’, në aspektin psikologjik, Radio KFOR-i kontaktoi psikologen e specializuar në psikologjinë sociale dhe psikoterapi, Dafina Prokshi, e cila shpjegoi: “Normaliteti i tanishëm përkon me një tranzicion të çrregullt të shëndetit mendor, pothuajse secili njeri i çfarëdo moshe përfshirë edhe fëmijët, janë duke ndjerë presionin e ndryshimeve të pa pritura që kanë ndodhur. Normaliteti i tanishëm paraqet një varg zinxhirorë të përçimit të stresit, që si shenja të para evidentohen me pagjumësi, tension dhe lodhje e ndjerë që nga orët e para të mëngjesit e deri tek humbja e kontrollit për të zgjedhur problemet dhe çështjet e përditshme.”
Psikologia, Prokshi, rekomandoi që secili fillimisht të pranojë realitetin me të gjithë të metat e veta, të ri-organizojë rutinën dhe të kujdesen për veten dhe të tjerët në mënyrë spontane, pastaj të reduktojnë qasjen në rrjetet sociale, televizor si dhe diskutimet me familje e shoqëri për gjendjen e pandemisë. Ajo apeloi që të gjithë të vazhdojnë të sillen natyrshëm si çdo herë tjetër dhe të pranojnë këtë realitet të ri.
Rëndësia jetike e situatës së krijuar nga ‘normaliteti i ri’, është që të ruajmë shëndetin mendor, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të solidarizohemi bashkërisht, për të qenë më të fortë në përballje me pandeminë dhe ‘normalitetin e ri’, që tashmë është pjesë e jetës sonë.