Rubrika ‘Artist of the Day’, sot është e rezervuar për këngëtaren e famshme kubano-amerikane, Karla Camila Cabello Estrabao, e cila me emrin artistik njihet si Camila Cabello. Këngëtarja dhe tekstshkruesja me famë botërore, e cila identifikohet nga një zë mjaft i ëmbël, ka lindur më 3 mars, të vitit 1997.
Karriera e saj në muzikë bëri bujë në vitin 2012, vit ky në të cilin ajo ishte pjesë e ‘X Factor USA’, si një nga anëtaret e grupit të vajzave ‘Fifth Harmony’. Ky grup në të njëjtin vit që mori pjesë në garën për muzikë ‘X Factor USA’, nënshkroi kontratë me kompanitë e famshme ‘Syco Music’ dhe ‘Epic Records’. Pavarësisht që ishte pjesë e grupit ‘Fifthy Harmony’, këngëtarja Cabello, nisi të identifikohej si solo artiste, ku e vetme bashkëpunonte me këngëtarë të famshëm, si Shawn Mendes, me të cilin lansoi hitin ‘I Know What You Did Last Summer’ dhe me Machine Gun Kelly ku solli hitin ‘Bad Things’. Ajo ishte ndarë nga grupi i vajzave ‘Fifthy Harmony’, në vitin 2016, kur edhe e vazhdoi karrierën e saj muzikore solo, duke sjellur edhe bashkëpunime të suksesshme, siç ishte kënga ‘Hey Ma’, e realizuar me këngëtarin Pitbull dhe artistin latin, J Balvin.
Albumin e saj debutues, Cabello e kishte lansuar më 2018, kur arriti në pozitën numër një në ‘Billboard 200 Chart’. Ky album i saj, nën ndikimin e tingujve të muzikës latine, ishte pritur mjaft mirë nga kritikët. Singli më i suksesshëm i saj ‘Havana’, kryesoi top listat në shumë vende, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Ky sukses i saj u pasua nga hiti tjetër ‘Never Be the Same’, ndërsa, bashkëpunimi me Shawn Mendes ‘Senorita’, u bë projekti i radhës që i rezervoi Cabellos majat e toplistës.
Në vitin 2019, ajo kishte lansuar edhe albumin e dytë ‘Romance’, me të cilin arriti në pozitën numër 3 në ‘Billboard 200 Chart’. Kompania e njohur ndërkombëtarisht, ‘Sony Pictures’ vendosi që pikërisht Cabello ta luante rolin kryesor në filmin ‘Cinderella’, i cili planifikohet të lansohet në vitin 2021. Ajo ka fituar çmime të ndryshme gjatë karrierës së saj, përfshirë 2 çmime latine Grammy, 5 çmime ‘American Music Awards’ dhe një çmim ‘Billboard Music Awards’, e po ashtu ka qenë e nominuar edhe për tri çmime të tjera ‘Grammy’.
Sa i përket jetës personale, Cabello që nga korriku i vitit 2019 është në lidhje dashurie me këngëtarin kanadez, Shawn Mendes.