Ndotja e ambientit vazhdon të jetë problem global duke përfshirë edhe Kosovën. Për të diskutuar dhe për të ndryshuar diçka në këtë aspekt organizatat ‘Termokiss’ dhe ‘Gaia Kosova’, kanë organizuar një kampanjë që do të zgjasë disa javë duke mobilizuar komunitetin për mbrojtjen e ambientit.
Aktiviteti në fjalë do të mbahet sot (29 tetor),në qendrën sociale ‘Ekolektiv’, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.
Për disa javë në këtë aktivitet do të diskutohet mbi ndotjen e ajrit, ujit, mbipërdorimin e plastikave të ndryshme, ndërtimin e hidrocentraleve e termocentraleve, ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike në përgjithësi.
Adminisrtatori në qendrën ‘Termokiss’ Edonis Hashani, për Radio KFOR-in tregoi për këtë aktivitet, duke potencuar nevojën e madhe për ruajtjen e ambientit:
“Kampanja ‘Friday for Future’ përfshin çështjet e ngrohjes globale dhe sfidat me të cilat përballemi globalisht por edhe në Kosovë. Kjo kampanjë ka të bëjë me përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe rregullimin e kualitetit të jetës, prandaj do t’i kushtojmë rëndësi kësaj teme për gjatë tërë vitit, duke informuar njerëzit për këtë temë dhe duke demonstruar aspekte praktike se si ta mbrojmë ambientin”.
Edonisi për fund apeloi tek qytetarët që ta ruajnë planetin tonë, ta kursejnë ujin dhe të përdorin materiale me të lehta për ngrohje dhe të mbjellin sa më shumë gjelbërim.
Të gjithë qytetarët, inkurajohen të marrin pjesë në këtë takim informues, duke kontribouar në mbrojtjen e ambientit.