Me paraqitjen e pandemisë në gjithë botën por edhe në Kosovë, gastronomia si shumë biznese të tjera, kanë pësuar humbje drastike. Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe mbyllja e bizneseve rezultuan në një ngadalësim të ekonomisë, humbje të vendeve të punës dhe punë me kapacitete të përgjysmuara. Me vendimin e fundit të institucioneve përkatëse në Kosovë, gastronomia lejohet të punojë deri në orën 19:00, mirëpo duke respektuar masat anti-covid.
Megjithatë, ngrënia në ambiente të mbyllura si restorante dhe kafene, ka rreziqe të shumta nëse nuk respektohen masat plotësisht për mbrojtje nga korona-virusi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të jesh në një hapësirë të mbyllur ku ajri izolohet vetëm në atë hapësirë dhe nëse ka viruse të pezulluara brenda kësaj hapësire, sa më gjatë të kalosh brenda, aq më i lartë është rreziku i kontaktit me virusin, nëse nuk jeni duke mbajtur maskën dhe distancën gjatë tërë kohës.
Madje, edhe në mjediset e restoranteve që përmbajnë tavolina me distancë nga njëra-tjetra mundësia për infektim sjell shqetësime serioze. Zgjidhja ideale sipas OBSH-së, në këtë situatë do të ishte që restorantet në ambiente të mbyllura të krijonin një sistem të ventilimit për të nxjerrë ajrin brenda hapësirave dhe për të ajrosur hapësirat e brendshme duke mbrojtur konsumatorët nga prekja me ‘CoViD-19’.
Prandaj, mënyra më e sigurtë në këtë periudhë të rasteve të shumta me të infektuar, do të ishte përgatit ushqimin në shtëpi dhe merreni me vete, në mënyrë që të jeni të mbrojtur nga infektimi me ‘CoViD-19’.