Për të ndikuar në të jetuarit në paqe, për të pranuar dallimet e njëri tjetrit, për të dëgjuar, njohur, respektuar dhe vlerësuar të tjerët, pavarësisht përkatësisë etnike të cilit i përkasim, gjuhës të cilën e flasim apo religjionit, të cilit i takojmë, disa të rinj të Kosovës, kanë ideuar garën “Youth Check In dhe shprehu!”, për të mbështetur të rinjtë që duan të tregojnë talentin e tyre.
Radio KFOR-i, duke qenë medium që manifeston dhe promovon dëshirën e të jetuarit në harmoni së bashku, ka intervistuar dy nga personat përgjegjës të kësaj gare, koordinatorin e projektit, Gentian Krasniqin dhe koordinatoren për komunikim, Mila Mihajlovic.
“Është hera e parë që marrë pozitë të tillë në projekte për komunitete. Kam pasur përvojë të mjaftueshme edhe më herët me bashkëpunime rinore ndëretnike dhe mund të them se me të vërtet brezat e rinj kanë energji dhe vullnet për tu njohur dhe për të punuar së bashku. Njohja e njeri tjetrit dhe thyerja e paragjykimeve është thelbi i çështjes. Kemi dashur që përmes këtij projekti, ta përdorim artin dhe kreativitetin si mjete për ta shprehur më të bukurën që gjendet brenda secilit të ri/re, që merr pjesë në këtë projekt. Arti i bashkon njerëzit, i shëron paragjykimet dhe krijon gjëra të bukura. Në fund të ditës secili njeri e synon të bukurën dhe pozitiven. Ky është qëllimi i tërë projektit tonë, i cili jam i bindur se do te ketë sukses”, pohoi Gentiani.
Bindje të tillë kishte edhe zonja Mila Mihajlovic, e cila zbuloi më shumë detaje rreth idesë së krijimit të këtij aktiviteti: “Ky projekt erdhi si një ide për të bashkuar komunitete të ndryshme nga Kosova përmes gjërave më të mira të artit njerëzor dhe kjo është pika kryesore që edhe ne i dhamë theks, siç është promovimi i dialogut midis komuniteteve si dhe ekspresiviteti dhe liria e të rinjve. Ne duam të jemi të sigurt që zëri i tyre të dëgjohet dhe të njihet nga secili. Në këtë garë janë të ftuar të gjithë të rinjtë që avokojnë për të fuqizuar të rinjtë tjerë, për të jetuar në paqe me të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke u shprehur përmes formave artistike, si poezia, fotografia, video, animacionet, blogu apo edhe përmes tregimeve të shkurtra. Vlen theksuar se fituesin/fituesen e kësaj gare e pret çmimi 200 euro.”
Për të qenë pjesë e kësaj gare, të interesuarit mund të vizitojnë faqen https://www.facebook.com/ParticipationforResilientYouth