Me anë të garës së rinisë “#y4changemaker” në kuadër të projektit “Youth for Kosovo” do të shpërblehet puna dhe kontributi i të rinjve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Gara e rinisë ka nisur nga 20 janari 2020 dhe do të zgjasë deri më 7 shkurt 2020, derisa pjesë e saj mund të bëhen të gjithë të rinjtë e grupmoshave 16 deri në 30 vjeç.
Brenda këtij afati kohor, pjesëmarrësit e garës duhet të dërgojnë një fotografi ose video deri në 2 minuta të gjatë, përmes së cilës shpjegojnë kontributin e tyre, qoftë individual apo grupor për grupin shoqëror, të cilit i përkasin dhe një të ardhme më gjithëpërfshirëse në komunitet.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Natalia Peral, këshilltare e Projektit “Youth for Kosovo”, e cila ka treguar për qëllimin e organizimit të kësaj gare: “Ka një numër të madh të të rinjve që angazhohen për të mirën e komunitetit dhe vetëdija ndaj këtij fakti duhet të rritet. Qëllimi i garës është t’ua mundësojë këtyre të rinjve të tregojnë mbi aktivitetet në të cilat janë përfshirë, në mënyrë që të theksohen më shumë pikëpamjet dhe metodat e tyre për trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët. Kjo çon edhe te qëllimi tjetër i garës, i cili është inspirimi i të rinjve aktivë për të krijuar sinergji mes vete, apo edhe për të nisur diçka krejt të re.”
Në fund, Znj. Peral pati një porosi për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Ndihuni krenarë për atë se çka po bëni edhe nëse mendoni se nuk ka ndikim shumë të madh. Gara “Y4K Changemakers” e çmon dhe bën thirrje për çdo formë të kontributit rinor.”
Të gjithë të rinjtë mund të bëhen pjesë e kësaj gare duke publikuar një video apo fotografi publike me një përshkrim për aktivitetin deri në 100 fjalë, duke përdorur hashtag-un “#y4changemaker”.