Sot (23 janar), me fillim nga ora 19:00 në kinemanë e qytetit të Pejës, ‘Jusuf Gërvalla’ do të shfaqet filmi “Leaving the Cult”, i cili do të përcillet edhe me dhurimin e librave për të pranishmit.
Drejtori i festivalit të filmit të animuar-ANIBAR, Vullnet Sanaja, në një intervistë për Radio KFOR-in ka treguar se ky organizm vjen nga bashkëpunimi i kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ me Sbunker: “Është realisht një projekt i organizatës ‘Sbunker’, përmes programit të tyre “TruAktiv”, me të cilët jemi duke bashkëpunuar. Deri tani kemi shfaqur disa herë filma të ndryshëm të cilët kanë karakter edukativ dhe zakonisht çfarë ndodhë pas shfaqjes së filmit, në bashkëpunim me ‘Sbunker’, i dhurojmë edhe disa libra në mënyrë që të promovohet leximi, por në të njëjtën kohë këta libra që dhurohen, kanë edhe tematikën e filmit që shfaqim.”
Sanaja gjithashtu tregoi për Radio KFOR-in se tashmë në kuadër të kinemasë ‘Jusuf Gërvalla’ janë duke u mbajtur ‘Klubi i Leximit’ si dhe ‘Klubi i Filmit’ dhe që të dyja kanë për qëllim promovimin e leximit dhe diskutimit të filmit. Ndryshe ‘Leaving the Cult’ që do të shfaqet sonte në kinema, rrëfen historinë e tre adoleshentëve të cilët lanë mbrapa familjen e shokët në mënyrë që ta eksplorojnë botën e jashtme.