Nëse nuk e dini a jeni të dashuruar apo jo, mjafton që të kuptoni se realiteti juaj është më i bukur se ëndërrimet e juaja. Sot është data 14 shkurt, ditë kjo e cila njihet edhe si Dita e Shën Valentinit ose Dita e të Dashuruarve. Është dita kur njerëzit ia shfaqin dashurinë një personi tjetër përmes një puthjeje, dhuratave të ndryshme, duke përfshirë dërgimin e kartolinave, mesazheve, luleve apo edhe çokollatave.
Dita e Shën Valentinit besohet se ka origjinën nga një festival romak i quajtur Lupercalia e që mbahej në mes të muajit shkurt, një periudhë që simbolizonte edhe fillimin e pranverës. Kjo festë përmbante në vete një ritual shumë interesant, djem që tërheqnin emra të vajzave nga një kuti me të gjithë emrat e tyre dhe në këtë mënyrë formoheshin çiftet të cilat silleshin si të tilla përgjatë gjithë festivalit.
Shën Valentini në vendin tonë po merr kuptim të veçantë për çdo vit, kur rrugës sheh bashkë çifte tek shkëmbejnë dhurata, të rinj e të reja që ecin rrugës me lule në duar, në disa raste edhe me propozime dashurie në hapsira publike që tregojnë më së miri që dashuria është edhe mbi krenarinë.
Dashuria mund të jetë zgjidhja e të gjitha vështirësive, problemeve dhe mundimeve të njeriut, prandaj ta duam njëri tjetrin çdo ditë.
Radio KFOR-i uron që për dashuri të festoni çdo ditë.