Elisa Bruci, e cila jeton prej vitesh në Kanada, ka filluar rrugëtimin e saj në muzikë që nga fëmijëria duke sjellë së fundmi edhe projektin e saj të parë debutues në skenën muzikore. Kohën e pandemisë dhe karantinës, Elisa, e përdori për dobinë e saj muzikore, duke shkruar edhe tekstin e këngës së saj më të re ‘Bittersweet Summer’, që tashmë është lansuar në tregun muzikorë.
Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me Elisa Brucin, e cila tregoi për këngën e saj më të re: “Gjatë kohës së karantinës, si e gjithë bota kam pasur më shumë kohë të mendoj për kohërat e vjetra, shoqërinë time në Kosovë dhe duke menduar se sa mirë kishte me qenë të kisha mundësi të kthej kohën prapa. Të gjitha këto ndjenja i kam shprehur në këngën time të re dhe jam e lumtur që nga pandemia doli diçka pozitive. Me ndihmën e internetit dhe platformave digjitale, kam arritur të bashkëpunoj me producentë dhe njerëz të tjerë nga gjithë bota.”
Elisa edhe pse ka publikuar këngën e saj më të re, ka vendosur të vazhdoj të punoj edhe më shumë dhe ka treguar se tashmë ka filluar punën për projektin tjetër muzikor, që mendon ta publikoj në qershor të këtij viti. Ajo porositi të gjithë të rinjtë e Kosovës, që të ndjekin pasionin e tyre dhe të besojnë në vete meqë puna dhe angazhimi do të shpërblehen gjithmonë.