Nga 29 prilli deri më 2 maj 2020, në Prishtinë do të mbahet edicioni i tretë i Samitit Rinor të G-20, organizuar nga Këshilli Rinor i Ballkanit.
Drejtuesja e Programit të Organizatës “Këshilli Rinor i Ballkanit”, Anxhela Balliu, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se temat e këtij edicioni do të jenë siguria dixhitale në shekullin 21 dhe mbështetja ndaj edukimit të vajzave dhe grave në fushat, si: shkenca, teknologjia, inxhinieria dhe matematika:“Samiti Rinor i G-20 është një program ekskluziv i ‘Këshillit Rinor të Ballkanit’ në rajon, i cili ka për qëllim transformimin e të rinjve në diplomatë të vërtetë dhe për t’i bërë ata qytetarë më të mirë të botës. Këtë vit, Samitin do ta organizojmë në Kosovë, pasi tradita është që në çdo vit formati të organizohet në një vend të Gadishullit të Ballkanit. Gjatë edicionit të tretë do të jenë rreth 40 të rinj, profesionistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme që vijnë nga 6 kontinente, për 4 ditë pune. Përveç seancave zyrtare, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me njëri tjetrin nga vende të ndryshme, shkëmbim kulturash, vizitë në institucione të ndryshme si dhe shëtitje të organizuara për të njohur më shumë qytetin e Prishtinës. Ideja për të organizuar formatin e G-20 në rajonin e Ballkanit ka filluar në vitin 2017, ku deri më tani kemi organizuar 2 edicione të tilla, një në Durrës në prill të vitit 2018 dhe edicionin e dytë e kemi mbajtur në Podgoricë në shtator të vitit 2019”.
Tutje, Znj. Balliu ka treguar se si do të funksionojë ky Samit: “Pasi çdo pjesëmarrës regjistrohet suksesshëm në Samit, atij i jepet një shtet anëtar i G-20 për ta përfaqësuar gjatë Samitit. Duke mbrojtur interesat e atij shteti, ai/ajo do të diskutojë, debatojë, punojë në grup dhe do të ofrojë zgjidhje për temat e sipërpërmendura, ku në fund të Samitit, secila rezolutë do të votohet nga të gjithë anëtarët pjesëmarrës. Pjesë e Samitit do të jenë edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, si: Bordi i Stabilitetit Financiar, International Labor Organization, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OECD, OKB , Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë”.
Të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në këtë Samit duhet të regjistrohen përmes vegzës: http://bit.ly/394IgMp