9 dhjetori njihet ndryshe edhe si ‘Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit’, e cila shënohet që nga kalimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit më 31 tetor 2003, për të rritur ndërgjegjësimin publik për anti-korrupsionin.
Sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, në vendet në zhvillim, fondet e humbura për korrupsion vlerësohen në 10 herë më shumë se sa ndihma zyrtare për zhvillim.
Korrupsioni është një krim i rëndë që mund të dëmtojë zhvillimin social dhe ekonomik në të gjitha shoqëritë, ndaj të cilit asnjë vend, rajon ose komunitet nuk është imun.
Edhe në Kosovë, luftimi i korrupsionit, mbetet një prej detyrave kryesore të institucioneve përkatëse.
Në shënim të kësaj dite, në Kosovë do të organizohen aktivitete të ndryshme, siç është turneu kombëtar i debatit “Kosova Open 2018″, me temë ”luftimi i korrupsionit”.
Menaxheri i programeve në organziatën jo qeveritare “Iniciativa për Progres”-INPO, Shpend Mustafa, na tregoi më shumë për përmbajten e këtij aktiviteti:
“Në këtë ngjarje marrin pjesë mbi 80 të rinj të komunave të ndryshme të Kosovës, nxënës të shkollave të mesme të larta dhe studentë të universiteteve dhe kolegjeve private, të cilët do të garojnë ndërmjet vete në formatin e strukturuar të debatit British Parliamentary, format që përdoret më së shumti në botë” theksoi Mustafa.