70 vite më parë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Ditën e të Drejtave të Njeriut e cila shënohet çdo vit më 10 dhjetor. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është dokumenti më i përkthyer, në më shumë se 500 gjuhë të botës si dhe një dokument historik, ku thuhet se të gjithë kanë të drejtën e tyre si qenie njerëzore, pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, mendimi politik, origjina kombëtare, sociale, lindja ose ndonjë status tjetër. Pikërisht për këtë ditë, Radio KFOR-i kontaktoi Drejtorin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, i cili dha një mesazh dhe tregoi se të drejtat e njeriun në Kosovë respektohen me ligj: “Mesazhi im është për të gjithë ata që mendojnë që nuk i gëzojnë të drejtat e tyre mjaftueshëm, duhet që vet të luftojnë për të drejtat e njeriut. Ka informata të mjaftueshme se cilat janë këto të drejta, ka adresa të mjaftueshme se ku mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre. Të drejtat e njeriut në Kosovë, si çdo vend tjetër të botës, mbrohen me ligj dhe ligji është përgjegjës për garantimin e të drejtave të njeriut dhe mendoj që me ndryshimet që ka bërë Ministria e Drejtësisë kohëve të fundit në legjislacion, po krijohen kushte të mira edhe për të drejtat e njeriut.”
Duke respektuar të drejtat e tjetrit, ne respektojmë së pari veten si dhe ofrojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.