Tre miliardë njerëz kontrollojnë telefonin të paktën 30 herë në ditë. Kjo tregon se rreth gjysmë milion njerëz shkëmbejnë mesazhe dhe dërgojnë fotografi brenda minutit. Kur jemi te shifrat e përdorimit të telefonave dhe rrjetet sociale, as Kosova nuk qëndron më mirë.
Sipas një studimi të publikuar vitin e kaluar, kosovarët janë përdoruesit më të mëdhenj të rrjeteve sociale në Ballkan, ku kalojnë deri në 8 orë në ditë.
Për të parë se cilat rrjetet sociale i përdorin më shumë, Radio KFOR-i ka kontaktuar dy dëgjuese, Getoarben dhe Mirjeten.
Getoarba na tregoi se rrjeti social i preferuar i saj është Instagrami:
“ Në mesin e shumë rrjeteve social, Instagrami ofron mundësi me zhvillu profilin tem dhe ofron modele të shumta prej nga mund të avancohesh në këtë profil. E mira tjetër e Instagramit është përdorimi i hashtag-ve çka e rritë shikueshmërinë e posteve dhe popullaritetin si një person në këtë rrjet dhe është një mënyrë e lehtë për të bërë marketing.”
Kurse, Mirjeta theksoi se përveç Instagramit i përdor edhe rrjetet e tjera:
“Një pjesë të madhe të ditës zakonisht e kaloj në rrjete sociale, ato që i përdori më së shumti janë Snapchat, Facebook dhe Instagrami, ku në këto rrjete sociale, përveç postimit të fotografive nga vendet ku unë jam, komunikimit me njerëz të ndryshëm, këto rrjete i shfrytëzoj edhe për të lexuar lajme dhe të informohem për të rejat që ndodhin në vend”.
Rrjetet sociale kanë zhdukur kufijtë e komunikimit mes njerëzve, gjë që është e dobishme, megjithatë kërkohet kujdes më i madh nga to për shkak të varësisë shqetësuese që kanë krijuar, sidomos tek të rinjtë.