Se gratë e Kosovës që i përkasin komuniteteve të ndryshme, po dëshmohen çdo ditë e më shumë në spektre të ndryshme të jetës, e tregon edhe rasti i fundit, të cilit rast Radio KFOR-i dëshiron t’i kushtojë vëmendje të posaçme.
Bëhet fjalë për znj.Mejreme Gerbani dhe znj.Hava Abdullahu, të cilat po fillojnë një udhëtim të ri si pronare të bizneseve të tyre, pasi u certifikuan me trajnime respektive për biznes, të organizuara nga Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalie dhe Egjiptiane të Kosovës.
Ky fillim i ri për këto zonja, vjen pasi idetë e tyre për nisjen e një biznesi të përbashkët u përkrahën nga grante për fillim të biznesit nga projekti i Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat i Swisscontact.
Mejremja, një rrobaqepëse me përvojë, tani do të zhvillojë aktivitetin e saj të prodhimit të veshjeve për blerësit e saj, kryesisht prodhues të mëdhenj të uniformave dhe veshjeve sportive, ndërkohë që Hava do të ngrejë në tjetër nivel aktivitetin e fermës familjare që merret me produkte të bulmetit dhe të plotësojë kërkesën e një liste në rritje të klientëve që e duan djathin e saj.
Ky aktivitet vjen në kuadër të angazhimit të PPSE-së në gjithëpërfshirje sociale për gratë dhe vajzat nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovë, për t’i mbështetur ato në rrugëtimin e ndërmarrësisë si mjet për vetëfuqizimin.